• schoenbrunninnen.jpg
  • stantonheader.jpg
  • neu5hausbanner.JPG
  • Hauptbanner.jpg
  • rudolfsheimbanner.jpg
  • rudolfsheim.jpg
  • schoenbrunnvorparkaussen.jpg

KOHA LITURGJIKE E ARDHJES

Koha liturgjike e Ardhjes është një periudhë katërjavore me të cilën, në kishën romake, fillon viti i ri liturgjik, dhe koha përgatitore për Krishtlindje. Periudhë kjo e cila i paraprinë festës së Krishtlindjes. Sikurse Kreshmët janë periudhë përgatitore për Pashkë ashtu edhe Ardhja është periudhë përgatitore për Krishtlindje. Në ritin romak fillon me të dielën më të afërt të festës e shën Andreut apostull, 27 nëntor deri me 3 dhjetor, në ritin Ambrozian fillon me të dielën pasuese të shën Martinit, 11 nëntor, dhe zgjat gjashtë javë. Fjala Ardhje rrjedh prej asajë latine adventus që dmth, ardhje. Në botëkuptimin tonë mund të përkthehet edhe me “pritje” dhe "prani".  Në këtë periudhë pritjeje dhe përgatitjeje për Krishtlindje shpirti udhëhiqet poashtu nga pritja e ardhjes së dytë dhe përfundimtare të Krishtit në fund të kohrave.

ORIGJINA E KOHËS SË ARDHJES, ZHVILLIMI HISTORIK

Origjina e kohës së Ardhjes është identifikuar mes shekujve IV  dhe VI-të. Gjurmët e para i gjejmë në Gali – Franca e sotme, dhe Spanjë në fund të shekullit të IV-të në një periudhë përgatitjeje për Krishtlindje. Festimi i parë i Krishtlindjeve ishte në Romë dhe daton në vitin 336. Këtu nuk hasim në ndonjë periudhë përgatitjeje por vetëm në kremtimin e Krishtlindjes. Kohën përgatitore për Krishtlindje e hasim duke filluar nga shekulli i VI-të. Nuk është befasues fakti se koha e Ardhjes ka mudur të formësohet sipas shembullit të Kreshmëve. Kuvendi i Saragozës i vitit 380 vendosi që besimtarët të merrnin pjesë në vazhdimsi në bashkësi, ndërmjet 17 dhjetorit dhe 6 janarit. Më pas, kësaj kohe, do t’i kushtohen gjashtë javë përgatitjeje. Shën Gregori i Toursit na dëshmon rreth shekullit të VI-të se sikurse në Kreshmë disa ditë të kohës së Ardhjes karakterizohen me pendesë. Kohë kjo e cila u quajt edhe “Kreshmët e Shën Martinit", pasi që agjërimi filloi më 11 nëntor. Kështu shën Gregori. Koha e Ardhje që nga shekulli i IV-të ka pasur një zhvillim të vazhdueshëm si në Lindje ashtu edhe në Perendim. Të shohim më radhë.

KOHA E ARDHJES NË LINDJE

 Në Lindje, origjina e kohës së Ardhjes, duhet të kërkohet rreth festës së Amësisë hyjnore apo Lajmërimit të Zotit. Kur u shfaq herezia e Nestorianëve ekistonte tashmë në Konstantinopojë një festë e Zojës, ndoshta të dielën para Krishtlindjes, duke pasur për përmbajtje pikërisht Lajmërimin e Zotit, të Zanunit e Virgjërës Mari, me theks në Amësinë hyjnore. Mbas Kuvendit të Efesit në vitin 431 kjo festë u përhapë në gjithë Lindjen. Mosmarveshjet me Nestorien çoi mbrojtësit e doktrinës për të inzistuar që në predikimet e asajë feste të mbajnë predikime me theks të veçantë Amësinë e Zojës Bekuar, siç bëri psh shën Prokli në të dielën e 23 dhjetorit të vitit 428.  Mendimet e Etërve të  Kishës rreth kësaj çështje mund t’i përmbledhim në disa pika: Gjendja fillestare njeriut të parë në parrizin tokësor dhe rënia e tij apo mëkati i rrjedhshëm; Plani hyjnor i Mishërimit dhe Shëlbimit; Maria, Eva e re; Amësia hyjnore e parathënë prej profetëve, e shpallur nga Engjëlli, e shfaqur në Ditën e Krishtlindjes dhe më vonë u njohur nga Mbretërit. Mirëpo përkujtimi i misterve të cilat i paraprinë ardhjes së Mesisë dhe Mishërimit të tij kërkonte që të përkujtohet Pararendësi i Jezusit, Gjon Pagëzuesi. Dhe në fakt e dimë se në mesin e shekullit të V-të në Jeruzalem, Antioki e gjetiu, të dielën para të dielës që i ishte kushtuar Nënës së Hyjit, festohej festa e shën Gjon Pagëzuesit. Duhet theksuar se në Lindje, mbas shekullit të V-të, festat vijnë e renditen jo sipas kriterit logjik të asajë që Krishti është qendra e gjithë vitit liturgjik e gjithçka është në funksion të tij, por sipas kriterit kronologjik. Për çka festa e Lajmërimit të Zotit ose festa e Amësisë hyjnore është zhvendosë me 25 mars e që prej atëherë e diela dhe ditët para Krishtlindjes u kushtohen figurave të Besëlidhje së Vjetër e të Re që kanë profetiuar për Krishtin.

KOHA E ARDHJES NË PERENDIM

Në Perendim gjurmët e para i gjejmë tek autorët e krishterë të shekujve III dhe IV. Fjala Advent-Ardhje është një ndër shprehjet më klasike për të treguar ardhjen e Birit të Hyjit, shfaqjen e tij në trup. Dy janë dëshmitë më të lashta të Ardhjes. E Para e shën Ilarios dhe e dyta një kanon i Kuvendit të Saragozës i vitit 380. Dëshmia më e lashtë është një fragment i shën Ilarios di Poitiers(+376) në Corpus Scriptorum Ecclesiasticorum Latinorum, 65,16, që thotë: “Sancta Mater Ecclesia Salvatoris adventum annuo recursu per trium septimanarum secretum spatium sibi indicavit.” Që thotë: “E Shenjtja Nanë Kishë i ka zbuluar vetvetes ardhjen e Shpëtimtarit gjatë një periudhë të caktuar kohore trijavore që përsëritet çdo vit.” E dyta një kanon i Kuvendit të Saragozës në vitin 380, canon 4, in Patrologia Latina 85,66,  i cili thotë; “Viginti et uno die, a XVI Kal. Januarii, usque ad diem Epiphaniae, quae est VIII Idus Januarii, continuis diebus, nulli liceat de ecclesia se absentare, nec latere in domibus; nec nudis pedibus incedere, sed concurrere ad ecclesiam.”,  Që thotë: “Për njëzet e një ditë, nga 17 dhjetori deri në ditën e Epifanisë, e cila është me 6 janar, pa ndërprerë, askush nuk lejohet të mungojë nga kisha dhe as të mbetet në shtëpi; as të ecë zbathur, por të shkojë në kishë.” Janë këto dy tekste të njohura për të cilat disa i pranojnë si dëshmi të kohës së Ardhjes e disa jo, dikush i jep rëndësi tekstit të parë e dikush të dytit, këto dy tekste ende konsiderohen nga disa që nuk janë të provuara, kështu që ekzistenca e kohës së Ardhjes në fund të shekullit të IV-të mbetet ende e diskutueshme. Ndoshta mund të ishte ishte një fillim për përgatitjen e dy festave, të Krishtlindjes dhe Epifanisë, siq na argumentojnë mësimet e një asketi spanjoll, rreth vitit 400, dhënë një miku për ti kaluar shenjtërisht ditët e fundit të vitit dhe festat që janë festuar edhe duke u përmbajtur edhe nga përdorimi i martesës.  Në shekullin e V-të ekszistonin dy aspekte të kohës së Ardhjes, njëri në Ravenë, nga shpirti Lindor - teologjik, dhe i dyti në Gali, thelbësisht pendestar, në fillim ishin pjesë përbërëse të vitit liturgjik. Dëshmia në Ravenë është Rrotulli i saj i cili përmban 40 mësime përgatitore për Krishtlindje. Vitet kur është shkruar ky Rotull, sipas gjykimit të hulumtuesve, janë të afërta me ato të Kuvendit të Efezit (430). Kjo është dëshmia më e paster dhe më e sigurtë e kohës së Ardhjes në Perendim. Mund te themi se ajo vjen e frymëzuar nga predikimet e shën Pjetër Krisologut, gjë që edhe mund të ilustrohet nga predikimet e tia, për festat e Lajmërimit dhe të Zanunit të shën Gjon Pagëzuesit dhe Lajmërimit e të Zanunit hyjnor të Virgjërës Mari. Festa këto që ka shumë të ngjarë se janë festuar ndoshta dy të diela para Krishtlindjes.

Kurse në Gali, në anën tjetër, koha e Ardhjes ka të njejtin funksion për Krishtlindje sikurse që Kreshmët kanë për Pashkë. Shën Gregori i Tursit (+594), thot se kjo është një dëshirë dhe u themelua prej Perpetuos, ipeshkëvit të gjashtë të Tursit. Ajo përbëhet nga një pendesë e ninesë prej gjashtë javësh që prej festës së shën Martinit e deri në Krishtlindje, 43 ditë në të cilët liturgjia e vesh një karakter pendestar. Ende nuk ekziston një formular i përshtatshëm, por i cili ngadalë formohet në shekullin e VII-të, dhe ku vërehet ndikimi i të Zanunit Lindor, dhe si rezultat formojnë bashkimin e dy aspekteve të kohës së Ardhjes. Kjo ndodh më së shumti në vendet me ndikimin e Galicisë, por jo pa asnjë lidhje me Lindjen, siç është Spanja (riti mozarabik) dhe Milanon (riti ambrozian) ku koha e Ardhjes ka gjashtë javë.

Koha e Ardhjes në Romë vërtetohet për herë të parë në predikimet e shën Gregorit të Madh (+604). Predikimet e tij të parat dëshmojnë për një periudhë të vërtetë përgatitjeje për Krishtlindje, që përbëhet prej pesë javësh në Sacramentario gelasiano (fundi i shek., V-të), dhe të katër javëve të atij gregorian (fundi i shek, VII). Kjo mënyra e fundit mbizotëroi univerzalisht apo në mnyrë të përgjithshme nga ndikimi Gal, nga e cila në shekullin e shtatë u morën edhe ritualet e agjërimit dhe më vonë riti i pendimit.

KOHA E ARDHJES NË RITI ROMAK

Në Ritin Romak, koha e Ardhjes zgjat katër javë dhe fillon me të dielën midis 27 nëntorit dhe 3 dhjetorit. Ndahet në dy pjesë: Deri më 16 dhjetor, liturgjia përqendrohet në shpresën e ardhjes së fundit të Krishtit; Duke filluar nga 17 dhjetor, do të hyni në pjesën e dytë të Ardhjes, të shënuar më saktë duke lexuar pjesë ungjillore të shpresës dhe të lindjes së Jezusit. Ngjyra e veshjeve liturgjike është e purpurt; Në kremtimin euharistik, Lavdia nuk recitohet, kështu që ajo rezonon me gjallni në meshën e mesnatës së Krishtlindjes.

KOHA E ARDHJES NË RITI AMBROZIAN

Në ritin Ambrosian të Kishës Katolike koha e Ardhjes ka lindur dhe është zhvilluar në modelin e Kreshmëve. Si festat më të rëndësishme të vitit liturgjik, Pashkët e Ringjalljes, përfshijnë një periudhë përgatitjeje (Kreshmet); kështu, rreth shekullit të VI-të, liturgjia ndjeu nevojën e një periudhe të përgatitjes për festën e dytë të madhe të vitit liturgjik, Krishtlindjeve. Kjo kohë zgjat gjashtë javë, fillon të dielën e parë pas ditës së Shën Martinit       (11 nëntor), arsye kjo e cila në traditën e Milanos merr emrin poashtu edhe “Kreshmët e shën Martinit”. Kohëzgjatje nuk është një veçori e gjitha Ambroziane, në fakt rreth shekullin e VII-VIII Kisha Romake e shkruton kohën e Ardhjes në katër javë, ky përdorim pastaj u përhap në të gjithë Kishën latine perëndimore, me përjashtim të dioqezave ku veq ishte i rrënjosur riti  Ambrozian i cili e ruajti numrin e lashtë, atë të gjashtë të dielave. Ardhja në ritin Ambrosian numrin më të madhe të ditëve i ka kurë shën Martini bie të shkunën kurse numin më të vogël kur festa e Krishtit Bret bie me 26 nëntor.

DOMETHËNIA SHPIRTËRORE E KOHËS SË ARDHJES 

Ndonëse në fillet e saj koha e Ardhjes në Lindje nuk ka pasur kurfarë karakteri pendestar, në shekullin e VIII-të e përvetëson pendesën që, në Perendim, së bashku me një lutje të zgjatur dhe ritet më të frekventuiara, krijojnë një ritëm të intensifikuar lartësimi në përgatitje të Krishtlindjeve. Prej këtij karakteri pendese sot mbetet diç vetëm në ritet dhe në ndalesën e festimeve solemne të martesës. Koha e Ardhjes në bën të meditojmë tri të ardhurat e Krishtit, të mbajtura gjallë në mendje me zërin e profetëve dhe me predikimin këmbëngulës të Pagëzuesit: Kohor, kur duke u mishëruar është bërë njeri në krahërorin e pastër e të shenjtë të Marisë Virgjër, i lindur në Betlehem; Përfundimtar, kur në fund të kohërave e të shekujve do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit; Mistike, çdo herë që vjen për të banuar ose për të marrë në posedim pjesën më të madhe, me Hirin e tij, të një shpirti që ka mohuar mëkatin dhe ka bërë të mirën. Kisha, me mësimin ungjillor të ardhjes së fundit, të dielën e parë, tregon pikënisjen dhe mendimin mbizotërues të të gjithë ripërtëritjes që duhet bërë për t'u përgatitur siç duhet për Krishtlindje.

Mirë se erdhët në faqen e Bashkësisë katolike shqiptare,

besimtarët e së cilës takohen çdo të diele dhe festa në meshën e shenjtë në ora 11:30 në kishën e Rudolfsheimit në qarkun e 15-të të Vjenës.

Misionari i juaj, don Nikson Shabani

**********************************************************

Willkommen in der albanischen Gemeinde,

die sich jeden Sonntag um 11.30 Uhr in der Kirche Rudolfsheim zum Gottesdienst trifft.

Ihr Seelsorger Don Nikson Shabani